Përfitimet e ekipeve të Superligës 2023/24 nga Ligji për Sponsorim gjatë vitit 2023.

Më shumë se gjysma e klubeve të Superligës së Futbollit, të hyra nga Ligji për sponsorizim kanë realizuar disa klube të kategorive më të ulëta. Vetëm Ballkani ka kaluar shifrën prej 1 milion eurosh, ndërkohë që në basketboll tri klube kanë të hyra më të mëdha se kampioni i futbollit. Të hyra të majme edhe për Ferizajn, Dinamon, Suharekën e Vëllaznimin

Numri i klubeve të futbollit në Kosovë është dukshëm më i madh se i atyre të basketbollit. Por, sa u takon të hyrave nga Ligji për sponsorizim, dallimi është fare i vogël. Derisa futbolli gjatë vitit të kaluar nga Ligji për sponsorizim realizoi të hyra prej 6 milionë e 8 mijë euro, të hyrat e basketbollit, klubeve e federatës ishin 5 milionë e 844 mijë euro.

Në basketboll të hyrat janë më të koncentruara. Tri klubet kryesore në vend, Peja, Trepça e Sigal Prishtina kishin të hyra prej më shumë se 3,5 milionë euro. Të hyrat e Pejës bazuar në Ligjin për sponsorizim vjet ishin mbi 1,3 milionë euro. Trepça e Prishtina kishin të hyra prej mbi 1,1 milionë euro gjatë vitit 2023.

Asnjë klub i futbollit nuk ka realizuar të hyra sa këto tri klube të basketbollit, bazuar nga Ligji për sponsorizimi. Rekordin, sa i takon futbollit, e ka kampioni Ballkani.

Në bazë të listës zyrtare të përgatitur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ballkani vjet nga marrëveshjet e sponsorizimit përfitoi 1 milion e 185 euro. (1,000,185).

Ballkani nuk kishte shumë marrëveshje sponsorizimi, por ato i kishte të majme. Një marrëveshje e ka prej 200 mijë eurosh e disa të tjera me shifër më të ulët. Me kompaninë që raportohet se është e presidentit të klubit, Ballkani i ka dy marrëveshje sponsorizimi – njërën me vlerë 76 mijë e 900 euro e një tjetër me vlerë prej 150 mijë euro.

Milionëshit nga sponsorizimi nuk i afrohet asnjë klub tjetër i futbollit. Prishtina prej marrëveshjeve të shumta të sponsorizimit kishte të hyra prej 781 mijë e 300 eurosh. Drita ka realizuar marrëveshje sponsorizimi me vlerë prej 627 mijë eurosh. Vetëm një marrëveshje e ka prej 500 mijë eurosh, që është rekord.

Malisheva kishte të hyra prej 217 mijë eurosh nga marrëveshjet e sponsorizimit e Gjilani prej 216 mijë eurosh.

Klubet e tjera të Superligës kanë realizuar dukshëm më pak të hyra financiare. Fushë Kosova nuk ka të evidentuar ndonjë.

Por, dukshëm më mirë janë ndarë klube të kategorive më të ulëta të futbollit kosovar, sidomos të Ligës së Parë.

Klubi që u themelua vetëm në qershorin e vitit të kaluar, Suhareka, ka bërë marrëveshje sponsorizimi prej 358,326 eurosh.

Vëllaznimi i Gjakovës, që për kohë të gjatë është përballur me krizë financiare e organizative, duket se e ka të mbushur buxhetin. Vjet Vëllaznimi përfitoi plot 234 mijë euro.

Klubet ferizajase po ashtu kanë shfaqur aftësi në “vjeljen” e mjeteve nga sponsorët. Dinamo e Ferizajt, po ashtu klub relativisht i ri, ka përfituar plot 350 mijë euro nga sponsorizimi. Klubi i futbollit Ferizaj ka realizuar të hyra prej 305 mijë eurosh. Klubi Tefik Çanga ka të hyra prej 80 mijë eurosh.

Për futbollin janë lëshuar 415 vërtetime nga MKRS-ja, në bazë të të cilave realizohen marrëveshjet e sponsorizimit. Gjithsej janë 1342 vërtetime të lëshuara. Ndërkohë vjet nga sponsorizimi për sport kanë shkuar mbi 15 milionë e 670 mijë euro.

Ka dyshime të mëdha që një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume nuk ka përfunduar te sportistët, ashtu si e parasheh ligji. Ka dyshime të mëdha për keqpërdorime të këtyre mjeteve, kryesisht në bashkëpunim të kompanive apo personave në kompani që ndajnë nga sponsorizimi me drejtues klubesh.

Në klube ka fare pak transparencë. Shumë prej klubeve funksionojnë me pak njerëz dhe te paratë kryesisht kanë qasje dy-tre persona. Pak prej klubeve kanë kryesi të mirëfillta dhe kuvende që kërkojnë llogari. Raportet e auditimit publikohen rrallë apo nuk publikohen fare.

Ligji për Sponsorizime vlerësohet se ka ngjallur shumë sportin, falë të hyrave në sport prej milionave. Në vitin 2022 në sport nga sponsorizimi kanë hyrë 11 milionë euro. Vjet shifra është rritur në mbi 15 milionë.

Ligji nuk pritet të shfuqizohet, por KOHA ka mësuar se tashmë ka diskutime të shumta që ai të ndryshojë.

Por ndryshoj apo jo, kontrollimi më i madh se ku përfundojnë mjetet vlerësohet i domosdoshëm. Kjo që mjetet të shkojnë te sportistët, sidomos ata të vendit, e jo në xhepat e keqpërdoruesve potencialë.

Të hyrat e disa prej klubeve të futbollit nga sponsorizimi

Prishtina 781,300 euro

Ballkani 1,000,185

Drita 627,000

Gjilani 216, 300

Llapi 82,000

Malisheva 217,600

Dukagjini 112,000

Feronikeli 74 225,000

Liria 70,000

****

Ferizaj 305,200

Dinamo Ferizaj 350,700

Tefik Çanga 80,300

Vëllaznimi 234,000

Suhareka 358,326

Rilindja 60,000