Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Malishevë, ka vazhduar luftën me Nismën Socialdemokrate në këtë qytet. Kësaj radhe, PDK’ja ka shkarkuar Mirlinda Gashin nga pozita e shefes së grupit të asamblistëve të kësaj partie. Kjo, nën pretendimin se, përveç tjerash, publikoi foto me Fatmir Limaj dhe Isni Kilajn.
“PDK nuk është parti ku realizohen apetite e interesa personale, PDK është parti që angazhohet për interesat e pëgjithshme. Misionin do ta vazhdojmë bashkë me të gjithë ata që kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë në vlerat e PDK-së dhe në rikthimin e madh me kryeministër, Bedri Hamza”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Ata ranguan një listë arsyesh pse kanë shkarkuar Gashin nga kjo pozitë. Sipas tyre, Mirlinda Gashi “kohëve të fundit disa herë kishte pasur takime të fshehta” me zyrtarë të Nismës Socialdemokrate.
“Publikimi i fundit i fotos, ku prezente ishte edhe Mirlinda Gashi, bashkë me ata që u munduan e po mundohen çdo ditë ta dëmtojnë PDK-në, Fatmir Limaj e Isni Kilaj… Mirlinda Gashi në vazhdimësi ka bojkotuar takimet dhe aktivitetet e kryesisë së degës, duke treguar dilema të qëndrimit të saj në PDK”.
“Pa marrë parasysh përpjekjeve të vazhdueshme për ta goditur e dobësuar, ne do të vazhdojmë tutje më të fortë se kurrë në përmbushje të misionit tonë politik, bazuar në vlera të shëndosha profesionale e morale, për rikthimin e madh të PDK-së, me kryeministër Bedri Hamza”, thuhet ndër të tjera në reagim.