23 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur në periudhën janar-mars të këtij viti.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, të cilat janë prezantuar të mërkurën në një konferencë për media, në këtë periudhë kanë ndodhur gjithsej 4 mijë e 248 aksidente prej të cilave 18 përfunduan me fatalitet e ku 23 persona humben jetën.
Krahasuar me periudhën e njëjtën të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 27 raste të vdekjeve, këtë vit në këtë periudhë janë shënuar 4 raste me pak.
Në këtë konferencë drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, ka thënë se kanë ndërmarrë shumë aktivitete që kanë të bëjnë me kontrollin e shpejtësisë dhe kanë shtuar patrullimet në teren.
Ai ka thënë se krahasor me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i aksidenteve ka shënuar rënie.
“Numri i përgjithshëm i aksidenteve është në rënie për 280 raste apo 6.18%, kurse numri i aksidenteve me lëndime është në rritje për 1.01% apo 16 raste më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar … Edhe në vitin paraprak numri i aksidenteve ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2021. Ndër vite Kosova ka pasur një rënie të numrit të aksidenteve, nga viti 2019 ka shënuar rënie”, ka theksuar Rexhepi.
Ai ka deklaruar se Policia po punon në përmirësimin e trafikut rrugor, parandalimin e aksidenteve dhe senzibilizimin e qytetarëve për rrezikun.
“Policia e Kosovës për këtë periudhë kohore të këtij viti ka marrë shumë plane. Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë me të gjitha nivelet qoftë qendror apo lokal, si dhe një bashkëpunim i ngushtë ka qenë me mediat … Policia e Kosovës duke parë të gjitha objektivat dhe kërkesat për përmirësim te trafikut rrugor në bashkëpunim me të gjitha drejtoritë dhe qytetarë jemi duke punuar në parandalimin e aksidenteve dhe senzibilizimin. Pothuajse të gjitha aktivitetet e planifikuara është duke i kryer me kohë, njëjtë me të gjitha vendet tjera”, është shprehur ai.
Rexhepi ka thënë se kanë shqyrtuar edhe ankesat e qytetarëve, të cilat sipas tij, kryesisht kanë qenë për mungesën e sinjalizimit dhe nënkalimeve/mbikalimeve.
“Adresimet të cilat kanë qenë, kanë qenë të shumta, mungesa e sinajlizimit qoftë vertikal ose horizontal, shembja nga vërshimet. Mungesa e mbikalimeve ose nënkalime, është kërkuar që në Veternik të ketë një nënkalim ose mbikalim që të ndihmonte këmbësorin në kalimin e rrugës”, ka theksuar Rexhepi.
E zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani, tha se përkundër faktit se aktivitetet kanë rezultuar pozitivisht, nuk janë ende të kënaqur e se vazhdimisht po punojnë për t’i vetëdijesuar qytetarët.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe konkursin për kadetët e rinj të akademisë policore, të cilës ka thënë se do t’i shtohen 450 kadetë të rinj. / EO