Në më pak se dhjetë ditë, plaqkitja e armatosur dhe dy vrasjet e fundit ishin pika kryesore e luftimit të kriminalitetit në vend nga Organet e Sigurisë së Kosovës.
Ditë e mërkurë, ora 15:45, data 22 nëntor raportohet një plaqkitje e armatosur në një dyqan argjendarie në Suharekë.
Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.
Rasti i dytë, ishte fillimisht si “grabitje e armatosur me pasoja vdekje” e që më pas u ndryshua totalisht “busulla e ngjarjes”.
Liridona Ademaj Murseli, 30 vjeçare, u gjet e vrarë në një veturë të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Vrasja u krye me armë zjarri, përderisa autorët u larguan nga vendi i krimit me shpejtësi. Të premten e 1 dhjetorit, Policia e Kosovës arrestoi tre persona për këtë vrasje.
Në mesin e të arrestuarve janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ku në media është raportuar se ai ka pranuar se ka porositur vrasjen e së ndjerës, personi Granit Plava, që sipas prokurorisë është dorasi dhe i dyshuari Kushtrim Kokalla, i cili është pjesëtar i FSK-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e Naim Murselit dhe dorasit me inicialet G.P, të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.
Sipas Prokurorisë, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
“Sipas urdhëresës së prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po në të njëjtën ditë, me 29 nëntor rreth orës 21:30, Policia njoftoi se në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë, një person theri me thikë babanë e bashkëshortes.
Më 1 dhjetor, E. B është vetëdorëzuar në polici.
Ndërsa, me 2 dhjetor Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit, E.B për vrasjen e vjehrrit të tij.
Mirënjohjet për profesionalizmin nga ana e Policisë
Haxhiu: Burri i Liridonës u përpoq ta fshihte krimin duke thënë se ishte grabitje
Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar lart punën e Policisë dhe Prokurorisë pas arrestimit të dy të dyshuarve që lidhen me vrasjen e Liridona Murselit të mërkurën në mbrëmje në Prishtinë.
Policia ka njoftuar sot [e premte] se ka arrestuar dy persona të lidhur me vrasjen e Liridona Murselit. Të arrestuarit janë bashkëshorti Naim Murseli dhe dorasi, i cili para Policisë e ka pranuar veprën, duke thënë se është paguar nga Naim Murseli.
Haxhiu ka thënë se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
“Stop dhunës dhe krimit”, bën thirrje Haradinaj
“Stop dhunës dhe krimit – Me Policinë e Kosovës!. Falënderues ndaj Policisë së Kosovës, hetuesve dhe Prokurorisë për zbardhjen e shpejtë të këtyre akteve kriminale!”, ka reaguar kryetari i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ndërsa, Policia e Kosovës, në kohën e fundit, në kohë rekord ka arritur të zbulojë autorë të krimeve të ndryshme që kanë ndodhur në Kosovë dhe t’i arrestojë ata.
“Sukseset e organeve të rendit në zbardhjen e rasteve kriminale, sikurse rasti i grabitjes së argjendarisë në Suharekë, vrasja e vjehrrit nga dhëndrri i tij e së fundi rasti i vrasjes së Liridona Murselit, e nderojnë Kosovën dhe rrisin kredibilitetin tek institucionet tona të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj.
“Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit e tyre. Lutemi shumë që të tilla raste të mos ndodhin më asnjëherë!”, ka përfunduar ai.
“Sa dhimbje e trishtim për Liridonën”, reagon Çitaku pas arrestimit të Naim Murselit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas arrestimit të bashkëshortit të Liridona Murselit, Naimi Murselit dhe vrasësit të saj.
“Sa dhimbje e trishtim për Liridonën”, ka thënë Çitaku në Facebook.
Ndërkohë, Çitaku ka thënë se është “pa fjalë”.
Bekim Haxhiu duartroket punën e Policisë së Kosovës
Edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka duartrokitur punën e Policisë së Kosovës.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për injorim të kërkesave të policisë.
“Policia e Kosovës brenda 24 orëve zbardhi rastin e vrasjes së Liridona Ademaj. Policia e Kosovës brenda një jave arrestoi të dyshuarit për plaqkitjen e armatosur të argjentarisë në Suharekë. Policia e Kosovës arrestoi dhe vrau kriminelët në veri. E përkundër këtyre sukseseve Qeveria e Kosovës nuk e mbeshtet Policinë e Kosovës. Mirënjohje dhe respekt për punën e Policisë së Kosovës. Turp për qasjen e Qeverisë ndaj kërkesave të Policisë”, ka shkruar Haxhiu.
Haziri: Sundimit të ligjit po i prin ai që s’po e doni për kryeprokuror të shteti, jo ju
Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lurtfi Haziri, ka thënë se zbardhja e këtyre krimeve është meritë edhe e Prokurorisë se Shtetit, e cila po kritikohet ashpër nga Qeveria Kurti.
“Dy ministra të Kurtit rrahin gjoks për sundim ligji, por e vërteta është se sundimit të ligjit nën arrestime dhe parandalim të krimit po i prin bash ai që s’po e duan për Kryeprokuror të shtetit, e jo këta dy. Po ashtu, Njësitë elitare të policisë po marrin plumba në aksione kundër krimit e asnjë kërkesë nuk u plotësohet në përputhje me kërkesat e tyre të drejta. E del tipi lëshon deklaratë që ai po “udhëheq” aksione. Lejoni shtetin ta kryej punën se ju jeni ba pengesë politike. Ata zbatojnë Kushtetutën e jo agjendën e majtë!”, ka shkruar Haziri.
“Jam i shokuar!”, reagon Pacolli pas arrestimit të Naim Murselit për vrasjen e gruas së tij
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar në lidhje me vrasjen e Liridonës Murselit, gruan e ish-këshilltarit të tij, Naim Murselit. Ai ka thënë se është i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilët ai thotë se ka njohur personalisht.
“I përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër ( akt i paparë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të marrë dënimin maksimal për këtë”.
Zyra e Kryeministrit e dënon ashpër vrasjen e Liridona Ademaj Murseli
Agjencia për Barazi Gjinore/ Zyra e Kryeministrit kanë reaguar në Facebook pasi u zbulua se pas vrasjes se Liridona Ademaj Murseli qëndron bashkëshorti i viktimës, Naim Mureseli, duke e dënuar ashpër këtë akt të kobshëm-kriminal.
“Agjencia për Barazi Gjinore/ Zyra e Kryeministrit dënon ashpër vrasjen e Liridona Ademaj Murseli në moshë 30-vjeçare në fshatin Sinidoll afër Prishtinës, ku vrasësi dyshohet të jetë bashkëshorti i saj. Dhuna në Familje është një akt i kobshëm-kriminal i dënueshëm”, thuhet në komunikatën e tyre.
Më tej, Agjencia për Barazi Gjinore i ka shprehur ngushëllime më të thella familjes së Liridonës.
“Agjencia për Barazi Gjinore tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore për prezencën e shtuar të armëve në pronësi të qytetarëve dhe sjelljeve të dhunshme dhe agresive, të cilat po rezultojnë në humbjen e jetëve të grave, mosgëzimin e të drejtave dhe mosrespektimin e dinjitetit dhe jetës së grave, si dhe kërkon që ky rast të trajtohet me urgjencë dhe të zbardhet kjo vrasje”, thuhet tutje në komunikatën e tyre.
Kjo agjenci ka thënë se është e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe të të drejtave të grave.
“Mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të jetës dhe gëzimit të të drejtave të grave dhe vajzave në përputhje me të drejtat e njeriut, dhe veçanërisht me të drejtat e grave. Si shoqëri, si shtet, si qytetarë të këtij vendi, ne kemi detyrën të mbrojmë jetën e çdo individi”, ka shtuar ai.
RrGK bën thirrje që vrasja e Liridona Murselit të cilësohet si “Vrasje e rëndë”
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas arrestimit të të dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit.
RRGK shpreh shqetësimin që edhe një rast i vrasjes së gruas, i cili dyshohet të jetë femicid.
Pas lajmit për arrestimin e bashkëshortit të viktimës Liridona Murselit, e vrarë më 29 nëntor në fshatin Sinidoll, afër Prishtinës, RRGK kërkon që hetimi i këtij rasti të trajtohet me urgjencë dhe qasje të drejtë për ta zbardhur këtë tragjedi.
Gjithashtu, RRGK kërkon nga institucionet që lënda të cilësohet si “Vrasje e rëndë” dhe të dënohet konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës. RRGK- ja fton Qendrën për Punë Sociale që të angazhohet për të siguruar mirëqenien e fëmijëve.
“RRGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit, si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit. Gjithashtu, RRGK do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftimin e RRGK-së lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Murselit.