Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një dite janë arrestuar shtatë persona për armëmbajtje pa leje, prej të cilëve pesë janë liruar me procedurë të rregullt
Policia e Kosovës, vetëm për një ditë ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje në disa qytete të vendit.
Siç thuhet në raportin 24-orësh të Policisë të së dielës, në Mitrovicë veriore, në orën 23:27, një person është arrestuar pasi gjatë një kontrolli i është gjetur një pistoletë pa municion.
Megjithatë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti ka vazhduar me procedurë të rregullt.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur në Skenderaj në orën 03:09, ku një tjetër personi i është gjetur një pistoletë me gaz gjatë një kontrolli në automjetin e tij.
Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, personi është liruar.
Ndërkohë, në Majac të Podujevës, një tjetër arrestim ka ndodhur në orën 10:20, ku një person është kapur me një pushkë gjuetie dhe 4 fishekë. Pas konsultimit me prokurorin, personi është liruar me procedurë të rregullt.
Të njëjtën ditë, në Bërnicën e Poshtme, një tjetër arrestim ka ndodhur në orën 12:00, ku një i dyshuar është gjetur me një pistoletë dhe 6 fishekë.
Edhe në këtë rast, pas konsultimit me prokurorin, personi është liruar.
Ndërsa, në Vragol të Fushë Kosovës, një i dyshuar është arrestuar në orën 12:15 me akuzën e shtënies me armë zjarri.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë konfiskuar një pistoletë dhe 3 gëzhoja. Me vendim të prokurorit, personi është dërguar në mbajtje për procedurat e mëtejshme.
Gjithashtu, në Podujevë, në orën 17:30, një person është arrestuar pasi i janë gjetur dhe konfiskuar 70 fishekë të kalibrit të ndryshëm në një kontrolle të një automjeti dhe afër tij.
Me vendim të prokurorit, personi është dërguar në mbajtje.