PËR NJË ATDHE
Në secilin burg e në secilën luftë,
në statujat arbërore të Diellit
ti shumëzon e shkëlqen polen
për Rrënjë Rrënjën e Atdhe Atdheut.
PESHORET E ATDHEUT
Kur dua të pushoj
nga histeria e luzmës së turmës,
me peshoret e atdheut ju mat
e bëheni pak sakaq.
ZGJIMET E ATDHEUT
Atdhe Yti,
Atdhe Imi,
Atdhe Yni,
si dje,
si sot,
ende rron
në shpresë,
në përjashtim.
Ty
të mbajnë
peng,
gjaku im.
PERSPEKTIVAT E SHKRIMIT NJERËZOR
Menjëherë pas tradhtisë,
e zhdukën shpejt e shpejt
nga faqja e dheut,
në hartat e shteteve të botës
nuk është askund ajo, Troja,
por hyri në letra
dhe njerëzit e ndiejnë vajin e saj,
tre mijë vjet pas.
Në sofrën e Makbethit
tash qindra vjet kullon,
nuk thahet gjaku i mikut
të vrarë në darkë.
Tash qindra vjet
si Tartufi lindin hipokritë të tjerë.
Asgjë nuk mungon,
të gjitha janë:
tradhtitë, tragjeditë, komeditë.
Por letra, e shkreta,
duhet nxirë më mirë.