Gjatë vitit 2021 janë arrestuar 12 punonjës policorë dhe 23 prej tyre janë suspenduar, ndërsa kanë pranuar rreth 244 ankesa nga qytetarët ndaj zyrtarëve të policisë, kështu tha kryeshefi i Inspektoriatit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hoda.
Tutje ai tha se vendosja e masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, ka rezultuar me shumë ankesa nga ana e qytetarëve kundrejt punonjësve policor.
“Viti që lamë pas po edhe ky vit që jemi është vit me specifika të veçanta për shkak të pandemisë ku edhe angazhimet e policisë kanë qenë më të mëdha për shkak të kufizimeve që kanë rrjedhur si rezultat i vendimeve të qeverisë dhe masat kundër Covid-it, dhe këto kanë prodhuar ndoshta edhe më shumë aktivitet të policisë dhe në situata të caktuara edhe pakënaqësi më të mëdha të qytetarëve ndaj punës së policisë, si rezultat i kësaj është rritur numri i ankesave ndaj zyrtarëve policorë e njëkohësisht është rritur edhe puna dhe angazhimi jonë si inspektorat policor, si institucion mbikëqyrës ndaj punës së policisë, ku gjatë më pak se dy muaj kemi arrestuar 12 punonjës policorë dhe janë suspenduar 23 punonjës të policisë si rezultat i hetimeve dhe ankesave që lidhen me punën e tyre”, tha Hoda.
Raste të ushtrimit të dhunës fizike dhe psikike të kryera nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve, janë raportuar përmes video-incizimeve nga mediet në vend. Sipas Hodës zyrtarët policorë janë të autorizuar që të përdorin dhunën kur është e nevojshme dhe e domosdoshme, por pa i tejkaluar ligjet dhe rregullat.
“Zyrtarët policorë janë të autorizuar që të përdorin edhe dhunë dhe forcën kur është e domosdoshme dhe kur përdoret ajo duhet të jetë proporcionale dhe në harmoni me ligjin dhe rregullat e brendshme të policisë. Sa herë që kjo përdoret në harmoni me këto rregulla është gjithçka në rregull, por kur kjo tejkalohet dhe qytetarëve u shkaktohet dhunë apo keqtrajtim pa nevojë dhe përtej asaj që lejohet me ligj natyrisht atëherë përbën shkelje disiplinore apo vepër penale, dhe të bëhet keqpërdorim i detyrës sepse atëherë merren masa kundrejt tyre”, theksoi ai.
Kryeshefi Hoda tha që numri ankesave për këto dy muaj që kanë marrë nga ana e qytetarëve është rritur për 20% më shumë, dhe numri i tyre është 244.
“Janar dhe kjo pjesë e shkurtit deri sot është numri i ankesave që kemi pranuar deri më tani është 244, është një numër i konsiderueshëm i lartë dhe është diku në masën 20 % më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak e gjithsesi edhe viti paraprak ka qenë më i lartë sesa viti 2019 kështu që po shkojmë në një trend të rritjes së numrit të ankesave gjatë punonjësve policorë. Ka arsye të ndryshme e një prej tyre është vetëdijesimi i qytetarëve për të paraqitur shqetësimet e tyre, dhe së dyti pandemia dhe kufizimi tek qytetarët dhe kjo e shton rrjedhimisht edhe numrin e ankesave ndaj zyrtarëve policorë”, tha mes tjerash ai.
Po ashtu, ai sqaroi se vazhdimisht mbajnë takime me qytetarë dhe nxënës për të qenë sa më afër tyre dhe të kenë parasysh se si të bëjnë një ankesë ndaj zyrtarëve policorë.
“Gjithsesi ne përveç punës së përditshme që bëjmë dhe përgjigjes ndaj ankesave të qytetarëve, ne kemi bërë edhe fushata vetëdijesuese dhe përmes spoteve reklamuese dhe takimeve me fokus grupe, takime me nxënës për rolin e punës tonë dhe si duhet të paraqesin ankesë ndaj zyrtarëve policorë”, u shpreh Hoda.
Ai tha që vazhdimisht do sigurohen që hetimet të jenë sa më të shpejta dhe sa më profesionale, dhe të arrijnë të dokumentojnë rastet ku ka shkelje.