Draft-ligji për pensionimin e parakohshëm të policëve është hartuar dhe është dërguar në Ministrinë e Financave, por si pasojë e dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ky proces është stopuar. Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm.
Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, tha për Radio Kosovën se Ligji për pensionimin e policëve duhet të jetë i njëjtë me atë për pensionimin e pjesëtarëve të FSK-së me 60 për qind të pagës.
Tasholli thotë se përveç pensionimit të hershëm nga sindikata është kërkuar edhe pensioni invalidor për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Ne e kemi cekur edhe më herët pensionin invalidor. Kemi policë të sëmurë dhe është pengesë edhe për menaxhmentin por edhe për vetë policët që vi jnë më vështirësi në punë. Ligji për pensionim të parakohshëm të policisë do të mundësojë edhe rekrutimin e kadetëve të rinj për t’i zëvendësuar policët e pensionuar sepse tani i kemi 420 kadetë, pavarësisht numrit kjo gradualisht plotësohet”, tha Tasholli.
Problem për Policinë e Kosovës paraqitet edhe mungesa e sigurimit shëndetësor. Tasholli thotë se kjo paraqet problem edhe për kontrollin shëndetësore të Policisë.
Edhe ministri i tanishëm i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se do të punohet që ligji për pensionimin e policëve të procedohet sa më shpejt në Kuvend.
“Ne do të kemi kujdes që do të punojmë shumë në Ligjin për Policinë dhe Ligjin për pensionimin e parakohshëm të policisë”, ka deklaruar Veliu.
Rreth 1 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë arritur moshën 55-vjeçare. Me këtë moshë këta policë do të mund të dilnin në pension po të miratohej Ligji për pensionimin e parakohshëm.
Sipas njohësve të çështjeve të Sigurisë në Kosovë, mosha mesatare mbi 44-vjeç e policëve është e vjetër për të kryer me sukses punë operative në terren.