Pejë: Prokuroria sekuestron vetura luksoze, armë e material drusor

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se ka sekuestruar gjatë muajit shkurt një sërë mjetesh dhe objektesh të dyshuara se janë përdorur apo përfituar nga veprat penale.

Sipas njoftimit zyrtar, janë konfiskuar dy vetura, një BMW dhe një Audi Q8, si dhe një kamion Iveco. Po ashtu, janë sekuestruar 9 armë zjarri të llojeve të ndryshme, 142 fishekë dhe një thikë.

Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka bllokuar edhe dy telefona mobil, tri sharra motorike dhe 10.5³ metër masë drusore, përfshirë dru shkoze dhe breu.

Prokuroria vazhdon hetimet lidhur me këto raste, ndërsa mjetet e sekuestruara pritet të përdoren si prova në procedurat ligjore përkatëse./