Zënkat mes anëtarëve të familjes janë të shpeshta, por ka raste kur ato eskalojnë në dhunë psikike e fizike ndaj njëri-tjetri. Nuk janë të rralla as rastet kur i dyshuar kryesor për dhunë në familje, është kryefamiljari.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Pejë, ku një person është futur në sherr me babanë e tij, pas një konflikti verbal që kanë pasur mes vete.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zënka mes tyre ka nisur pasi babai dyshohet se ishte kthyer në gjendje të dehur në shtëpi dhe ka ushtruar dhunë ndaj tij e familjarëve të tjerë.
Bazuar në dëshminë e djalit, raste të tilla janë mjaft të shpeshta në familjen e tyre, prandaj ai ka vendosur që këtë herë ta raportojë atë që kishte ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.