Shpeshherë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë ta pranojnë ndarjen,
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në qytetin e Pejës, ku një grua e ka denoncuar në Polici ish bashkëshortin e saj me të cilin kishte qenë e martuar për disa vite dhe kanë disa fëmijë.
Sinjali mëson se i dyshuari A.Z., vazhdimisht po e shqetëson dhe kërcënon ish bashkëshorten e tij përmes mesazheve në telefon.
Bazuar në dëshminë e viktimës, kjo situatë i ka shkaktuar asaj frikë se mund të ndodhë diçka më e keqe, prandaj ka vendosur të mos heshtë më, por ta denoncojë të dyshuarin.
Me të marrë informatën, njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.