PDK në Klinë 18 ANËTARË TË AAK-së NË KLINË, PUNËSOHEN INFERMIERË NË QKMF “NËNË TEREZA”

“Jemi të gatshëm për bashkëpunim, ngase kemi nevojë të madhe për punësimin e kuadrove të reja…”, kështu pati deklaruar mes tjerash kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me Caritas Kosova, për projektin e përbashkët për punësime në shëndetësi. Por, për cilat kuadro e kishte fjalën u kuptua tani së fundmi kur u punësuan 18 kuadro partiake në infermierinë e QKMF-së së Klinës. Sipas burimeve të sigurta, brenda QKMF-së, të gjithë të punësuarit janë aktivistë dhe familjarë të militantëve partiak të AAK-së. Janë punësuar infermierë edhe disa që nuk e kanë të kryer shkollën për infermierë, e refuzuar kandidatë të diplomuar në Infermieri vetëm sepse nuk ishin anëtarë të AAK-së.
Dega e PDK-së në Klinë, më me deshirë do të jepte kontributin e saj në shërbim të qytetarëve në këtë kohë pandemie, por duke e parë që kryetari Elezaj më shumë se çdo kohë tjetër po e shfrytëzon situatën e rënduar shëndetësore të qytetarëve për të realizuar qëllimet partiake nëpërmjet institucioneve të Komunës, detyrohet që të informojë opinion publik për këto padrejtësi. Është e turpshme që të shfrytëzosh kohë krizash shëndetësore për të sistemuar militantë partiak nëpër vende pune me idenë se qytetari i Klinës e ka mendjen tek pandemia, e jo çfarë bënë kryetari i Komunës. Mos të mashtrohet askush se shkeljet ligjore, veprimet skandaloze sikurse kjo e punësimeve partiake në QKMF, ndihmat e dhëna vetëm familjarëve e militantëve partiak, nuk do të gjykohen një ditë. Nga 150 pakot ushqimore, që L.Tahiri i dhuroi për familjet në nevojë në Komunën e Klinës, pushtetarët tanë i ndanë pakot dhe nga to bënë 300 pako të vogëla duke jua shpërndarë “nevojtarëve” të verifikuar nëpërmjet Fb si anëtarë të AAK-së, këtë e thonë qytetarët të cilët janë anashkaluar si rezultat i përkatësisë tjetër politike. Këtë kohë të rënduar nga pandemia e COVID-19, nuk do të duhej ta rëndonte edhe më shumë kryetari Elezaj. Nuk është koha e krekosjeve për gjoja “përformancë të mirë”. Këtë përformancë të mirë e kanë arritur shërbyesit civil me punën e tyre të madhe e jo kryetari Elezaj. Përformanca e z. Elezaj është pasqyruar nga institucione të besueshme që merren me përmbushjen e premtimeve të kryetarit gjatë fushatës, e që fatkeqësisht asnjë nuk e ka përmbushë edhe pas gati tre vjet qeverisje.