Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka marrë pozitën e Zëvendëskryetarit të PDK-së pas emërimit të Enver Hoxhaj në pozitën e Shefit të Partisë së themeluar nga Hashim Thaçi.
Kryetari i ri i PDK-së, Enver Hoxhaj, do t’i ketë afër vetes pesë Nënkryetarë. Zëvendëskryetar është emëruar Sami Lushtaku, i cili ka pozitën edhe të Kryetari të Degës më të fuqishme të PDK-së, asaj të Skenderajt.
Burime të T7 kanë treguar se në pozitën e Nënkryetarit të PDK-së është emëruar edhe profesori Hajredin Kuçi, i cili është edhe deputet i PDK-së.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi ka marrë edhe pozitën e Nënkryetarit të Partisë.
Nënkryetari i katërt i PDK-së është Shaqir Totaj, i cili kishte mbajtur një pozitë të tillë edhe më herët.
Nënkryetari i fundit në PDK është emëruar Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
u.d i Kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj, ka thënë se do të lëshojnë komunikatë për këto emërime. Nuk i ka konfirmuar emrat e të emëruarve.
Anëtarët e Kryesisë së PDK-së, Ganimet Musliu, Abelard Tahiri, Bedri Hamza nuk kanë dashur të japin informacione.
Ndërkohë, Zëdhënësi i PDK-së, Avdni Bytyqi, ka heshtur.
Gjithë këto ndryshime në PDK kanë ndodhur pasi Kryetari i deritashëm i PDK-së, Kadri Veseli ka shkuar në Hagë për t’u ballafaquar me akuza për krime lufte të ngritura nga Gjykata Speciale.
PDK, aktualisht, është partia e tretë në Kosovë pas Vetëvendosjes dhe LDK-së. Vazhdon të mbetet në opozitë pavarësisht se është përmendur mundësia që të futen në Qeveri pas ngritjes së aktakuzave nga Specialja./