Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka propozuar ndryshimin e një neni të Ligjit për Fondet Pensionale, me qëllim lejimin e tërheqjes së 10 për qind të kursimeve të qytetarëve në Trust pa e votuar Pakon e Rimekëmbjes Ekonomike.
Bedri Hamza, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë sot në një konferencë për media se 24 deputetët e PDK-së nuk e përhrahin Projektligjin e Rimekëmbjes Ekonomike të propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Por, Hamza ka propozuar zgjidhje për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve të qytetarëve në Trustin Pensional, duke votuar vetëm një amandament i cili do të ndryshonte një nen të Ligjit për Fondin Pensional.
“Përndryshe nëse janë në pyetje vetëm mjetet e Trustit Pensional, ne propozojmë që me një amandament të ngritet vetëm një nen i ri për Fondin Pensional dhe njerëzve të ju mundësohet tërheqja e mjeteve të tyre. Kjo punë mund të kryhet brenda një javë dite dhe ne garantojmë përkrahjen tonë”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka thënë se PDK-ja nuk e përkrah Pakon e Rimekëmbjes Ekonomike të cilin e ka propozuar qeveria.
“Nuk është ligj që i përkrah bizneset e sektorit privat dhe kësisoj ne mendojmë që duhet të kemi pako të re dhe që i adreson nebvojat e qytetarëve”, ka deklaruar ai.