Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta respektojë vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe do ta largojë nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara për ceritfikim, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar.
“Partia Demokratike e Kosovës ka ndjekur gjithmonë praktikën e moskandidimit të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht lëshimit që është bërë në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë vendimin e KGJK-së, duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020. Respektimi i plotë i normave që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera ligjore për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, janë kritere të domosdoshme për ta garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës respekton çdo vendim të institucioneve përgjegjëse dhe fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, që të bëjnë fushatë të dinjitetshme, duke e respektuar procesin zgjedhor”, thuhet nga PDK-ja.