Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka vendosur që në zgjedhjet e 14 shkurtit të garojë e vetme si subjekt politik, pra pa koalicione parazgjedhore. Edhe pse u diskutua se mes PDK-së dhe partisë Nisma Socialdemokrate që drejtohet nga Fatmir Limaj, ka pak gjasa për koalicione të mëdha në këto zgjedhje, përfshirë këtu edhe koalicionin me Nisma’n. Ndërkohë kanë mbetur pak më shumë se një orë deri tek mbyllja e aplikimit për koalicione parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë për Express se do të vazhdojnë bashkëpunimin me partitë e vogla që kanë pasur bashkëpunim tradicionalisht, me kusht që të njëjtat të garojnë në listën e PDK-së.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të garojë vetëm nën siglën dhe logon e saj PDK. Kjo nënkupton se ne nuk do të kemi marrëveshje me partitë tjera për ndonjë koalicion parazgjedhorë. Mirëpo, PDK do të vazhdojë bashkëpunimin me partitë e vogla që tradicionalisht kemi bashkëpunuar, e që do të garojnë në listën e PDK-së”, ka thënë Bytyçi për Express.
Por, gazeta Express merr vesh nga burime të saj se ka pak gjasa për koalicione të mëdha në këto zgjedhje, përfshirë këtu edhe koalicionin me Nisma’n.
Sipas këtij burimi, nuk do të ketë kurrfarë koalicioni me partinë NISMA në këto zgjedhje dhe PDK do të jetë shumë e hapur për bashkëpunim me të gjitha partiët pas zgjedhjeve.
Gazeta ka provuar sot gjatë tërë ditës që të marr një qëndrim edhe nga Nisma Socialdemokrate, lidhur me çështjen e koalicionit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në telefonata.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se partitë poltike të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet të njoftojnë KQZ-në deri më datë 12 janar dhe deri në orën 18:00
“Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet të njoftojnë KQZ-në deri më datë 12 janar dhe deri në orën 18:00. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike”, ka thënë më tutje ai .
Më tutje Elezi ka konfirmuar se deri më tani në KQZ janë paraqitur dy njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje në koalicion.
“Deri më tani janë paraqitur dy njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje përmes Koalicionit nga radhët e komuniteteve: Koalicioni VAKAT, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe Koalicioni ZAJENO, i përbërë nga partitë politike Pokret za Gora (PG) dhe Graðanska Inicijativa Gore (GIG)”, ka deklaruar Elezi për Reporteri.net.
Elezi ka folur edhe për disa rregulla të cilat duhet t’i kenë parasysh partitë politike.
“Partitë politike të cilat nuk e njoftojnë KQZ-në se do të garojnë në këto zgjedhje si koalicione, ato nuk mund të aplikojnë për certifikim dhe të garojnë si pjesë e koalicionit pas afatit të paraparë. Po ashtu, partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, pas datës 12 janar nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje”, ka thënë ai.
Më tutje, zëdhënësi i KQZ-së tha se partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër.
“Partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Ndërsa, pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje, duhet që të nënshkruajnë formularin e pëlqimit të koalicionit”, ka deklaruar Elezi.
Kujtojmë që ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka caktuar 14 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.