Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendim të bojkotojë mbledhjen e Kryesisë Kuvendit, si reagim ndaj veprimeve të kundërligjshme të Keryeparlamentares Vjosa Osmani me rastin e heqjes së fotografisë zyrtare të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, tha në konferencë për media në Kuvend se koalicioni Vetëvendosje-LDK-Lista Srpska e ka filluuar keq punën dhe sjelljen institucionale.
“Unë e kuptoj se njerëzit kanë nevojë të inspirohen, por për gjëra të tilla janë ambientet dhe hapësirat private. Në institucionet zyrtare janë të rregulluara me ligj. Fotografia e presidentit Rugova është në hapësirat e Kuvendit dhe gjatë udhëheqjes së Kuvendit nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është trajtuar me kujdes. Në situatën në të cilën ndodhemi tani, proceset të cilat janë përpara, vlerësojmë se duhet të ketë kohezion të brendshëm. Ne besojmë që opozita e ka vendin në Kuvend. Është mirë për vendin por është mirë edhe për pushtetin. Ndërsa veprimet e zonjës Osmani, opozitës ia pamundësojnë këtë dhe e largojnë nga institucioni. Pra, si rezultat i këtij veprimi të kundërligjshëm, ne si partia më e madhe opozitare, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, tha Hamza.
“Kërkojmë që fotografia zyrtare e Presientit të vendit z. Hashim Thaçi, të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, të kthehet në vendin e vet dhe zonja Osmani të ndalojë veprimet që nuk janë në përputhje me ligjin dhe të cilat e pamundësojnë opozitën të jetë në Institucione dhe të kontriubojë në rolin e saj që e ka të drejtë dhe obligim”, tha Hamza.
Shefi I Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza po ashtu tregoi për shkëljet procedurale dhe mënyrën e thirrjes së seancës për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
“Zonja Osmani e ka nisur komplet mbrapsht punën e saj që nga mënyra e zgjedhjes së saj dhe kjo nuk është në rregull. Në ditën që u votua Qeveria pasi deputetët u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre, anëtarët e Kryesisë dhe shefat e Grupeve Parlamentare u ftuan përmes një lajmërimi në Viber të stafit të Administratës në ora 18:26 për të marrë pjesë në mbledhje të Kryesisë në ora 18:30.
Pra për 4 minuta dhe pa specifikuar as qëllimin e mbledhjes e as pikat e rendit të mbledhjes dhe në kudërshtim edhe me Rregulloren, por edhe me logjikën e thirrjes së mbldhjes. Sipas kësaj logjike, anëtaret e Kryesisë duhet të qëndrojnë afër sallës së mbledhjeve se përndryshe nuk mund të arrijnë kurrë në mbledhje”, tha Hamza.
Sipas tij, nga veprimet që bëri VV-LDK me thirrjen e seancës natën dhe për 4 minuta kohë, shihet qartë se atë natë, koalicioni Vetëvendosje-LDK nuk e kishin qëllim të ftojnë të gjithë deputetët, sepse e kishin arritur paraprakisht pazarin me Listën Srpska.
“Ka qenë e ditur dhe ua kemi thënë në seancë të Kuvendit se ka marrëveshje mes partenrëve të koaliconit VV-LDK dhe Listës Srpska, por ata gjatë ditës e kishin mohuar. Por, natën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit u konfirmua ajo që ne e tham ditën dhe zonja Osmani u zgjedh kryetare e Kuvendit me pazare të qarta me Listën Serbe sepse ndryshe nuk do të mund të votohej atë natë”, tha Hamza.