“Forumi i Liderëve”, është ideja e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për të arritur një konsensus nacional në Kosovë para nisjes së dialogut me Serbinë.
Por, me këtë nismë si duket nuk po pajtohen dy partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Në ditët e para të punës si shef i ekzekutivit, Avdullah Hoti filloi punën për mënjanimin e pengesave që e lanë Kosovën dhe Serbinë për dy vite larg tryezës së dialogut.
Këtë ftesë të Hotit nuk e ka pranuar Lëvizja Vetëvendosje të cilët thonë se qeveria e udhëhequr nga ky kryeministër nuk ka legjitimitet dhe prandaj nuk i janë përgjigjur kësaj ftese.
“Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi pranuar një letër para dy ditësh ku ftohej Kryetari i LVV, Albin Kurti që të diskutojë me qeverinë aktuale për dialogun e ardhshëm me Serbinë. Një qeveri e varur dhe mundësuar nga votat e Listës Serbe dhe e formuar nga Thaçi e për të si dhe një qeveri që ia heq shtetit të Kosovës reciprocitetin me Serbinë nuk ka as kredibilitet as legjitimitet. Prandaj ne nuk i jemi përgjigjur asaj ftese sepse nuk do të jemi pjesë të këtyre takimeve”, ka shkruar zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.
E përveç LVV-së, ftesën e Hotit për takim e kanë konsideruar jo-serioze edhe në Partinë Demokratike të Kosovës.
Nga kjo parti, për lajmi.net kanë thënë se ftesat nga studiot televizive nuk janë serioze dhe flasin për qasjen e mbrapshtë që po e ndjek qeveria Hoti sipas tyre.
Ata thonë se për kryeministrin e qeverisë së status-quos (ku i referohen qeverisë Hoti), uniteti i akademikëve dhe mbështetja e tyre është më e rëndësishme se përkrahja e partive politike.
“Nuk mund të komentojmē asgjë ndaj një ftese që nuk ekziston si realitet deri në këto momente. Ftesat nga studiot dhe deklarimet publike të zyrtarëve të ndryshëm nuk janë serioze dhe fatkeqësisht flasin për qasjen e mbrapshtë që po ndjek kjo qeveri për dialogun dhe seriozitetin që po tregon ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm. Për kryeministrin e qeverisë së status-quos duke se më i rëndësishëm është uniteti i akademikëve dhe mbështetja e tyre se sa e partive politike”, thuhet në përgjigjen e PDK-së .
Duket se Hoti nuk do të ketë mbështetjen e opozitës në krijimin e “Forumit të Liderëve”, siç e ka quajtur kohëve të fundit. /Klina.info/