Partitë opozitare, PDK dhe AAK, kanë dalë kundër lejimit të mbajtjes së referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se mbajtja e referendumit është shkelje direkte e sovranitetit të vendit dhe si i tillë është i papranueshëm.
“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj”, ka thënë Krasniqi për Gazeta Express.
Derisa partia e Ramush Haradinajt ka thënë se kjo është një përpjekje e Serbisë për të ushtruar sovranitetin e saj në Kosovë dhe një gjë e tillë duhet kundërshtuar.
“Në territorin e Republikës së Kosovës, nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendum i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Inkurajojmë dhe mbështesim të gjithë ata që e kundërshtojnë organizimin e këtij referendumi. Presim që zyrtarët e BE-së të jenë, së paku të paanshëm në raport me këtë çështje kaq të ndjeshme juridike e politike”, ka thënë për Klankosova.tv Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.
Para pak minutash në zyrën e presidentes Vjosa Osmani ka nisur takimi me ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe shefin e BE-së në Kosovë. Në këtë takim ku po flitet për këtë çështje po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili paraprakisht konfirmoi refuzimin ndaj kërkesës së tyre.