Vetëm në pak ditë kanë ndodhur dy vrasje në Kosovë, njëra në një lokal në Prishtinë e tjetra në Klinë.
Pas këtyre ngjarjeve të fundit Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme.
Policia ka njoftuar se ka filluar me planin operativ “Goditja”, i cili ka nisur qysh sonte nëpër të gjithë territorin e vendit e që zhvillohet kryesisht në zona urbane e nëpër kafiteri.
Siç bëhet e ditur në komunikatën e Policisë, ky aksion ka për qëllim shtimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit.
“Detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato”, thuhet në komunikatë.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, ka hartuar dhe që nga sonte ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin.
Detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato.
Policia do të ketë bashkëpunim me organet e drejtësisë në koordinim të aktiviteteve dhe trajtimin e rasteve eventuale që mund të iniciohen gjatë zbatimit të këtij plani.
Policia do të trajtojë në aspektin policorë çdo informatë nga qytetarët dhe informatat inteligjente, me qëllim të parandalimit të rasteve e akteve kriminale. Do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën.
Policia, duke e pasur parasysh se suksesi i operacioneve policore, varet nga bashkëpunimi me qytetarët, fton të gjithë qytetarët që për çdo gjë të dyshimtë që vërejnë të lajmërojnë policinë sepse çdo informatë e dhënë me kohë, mund të parandalojë një akt kriminal ku mund të rrezikohet jeta dhe siguria publike.
Policia mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave me profesionalizëm dhe integritet me qëllim të arritjes së qëllimeve strategjike dhe ofrimit të një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe vendin.