Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, përmes një postimi ka njoftuar se ka pritur sot në një takim zyrtar presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, të cilën e falënderoi për vizitën dhe interesimin e shprehur për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e shiut në Klinë.
Ky është njoftimi:
Me presidenten Osmani diskutuam për gjendjen e krijuar në komunën e Klinës pas vërshimeve dhe sfidat me të cilat po përballet komuna e Klinës në përgjithësi. E informova atë për nivelin e dëmeve që janë shkaktuar në infrastrukturë rrugore, biznese dhe ekonomi familjare dhe për hapat që kemi marrë ne si institucione lokale për t`ju dalë në ndihmë qytetarëve.
Theksova se në vlerësimet e para dëmet janë të konsiderueshme dhe se mundësitë buxhetore të komunës janë të kufizuara për kompensimin e dëmeve dhe përmbushjen e kërkesave të qytetarëve, për çka edhe theksova se është shumë e nevojshme ndihma e Qeverisë së Republikës së Kosovës për riparimet e nevojshme infrastrukturore dhe kompensimin financiar të familjeve apo bizneseve të dëmtuara.
Po ashtu, edhe presidentja Osmani theksoi se qytetarët, bizneset dhe familjet e dëmtuara duhet të ndihmohen nga institucionet qendrore dhe lokale për riparimin e dëmeve dhe shprehi gatishmërinë e saj për të ndikuar dhe ndihmuar në këtë çështje.