Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se në qershor të vitit 2024 do të nis testimi i mësimdhënësve për pagë më të lartë.
Në konferencën për media, Nagavci ka thënë se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për hartimin e udhëzuesit për realizim të këtij procesi.
“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”, është shprehur Nagavci.
Ajo ka thënë se beson që mësimdhënësit nuk janë kundër këtij testimi.
“Unë besoj që mësimdhënësit nuk janë kundër kësaj, e do të jenë të suksesshëm në këtë. E unë nuk besoj që është mirë që SBASHK-u të dalë në krahë të mësimdhënësve që mund të kenë probleme”, është shprehur Nagavci.
Ajo ka folur edhe për rezultatet e testit PISA si dhe kërkesat që i janë drejtuar për dorëheqje pas rezultateve të dobëta që tregoi Kosova në këtë test.
“Unë kam parë reagime për testin Pisa, e të gjithë e dinë që problemet në arsim nuk mund të ndryshohen për 10 muaj … dorëheqja do të ishte puna më e lehtë, por angazhimi maksimal për të përmirësuar këtë situatë është më i vështirë”, është shprehur Nagavci.