Qeveria e Kosovës pritet që shumë shpejt të marrë vendim në lidhje me lejimin e organizimit të ahengjeve, dasmave dhe hapjen e banjave.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës (OHTK) ka paralajmëruar se sipas premtimeve të institucioneve së shpejti do të lejohen këto veprimtari.
OHTK-ja ka bërë të ditur se në bazë të kërkesës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka përgatitur Manualin për ahengje dhe dasma.
“Duke u bazuar në faktin se në ditët e fundit kemi rënie të dukshme të numrit të të infektuarve dhe tashmë Manuali si të veprohet është i gatshëm, OHTK-ja kërkon që të lejohen ahengjet dhe dasmat. Duke u bazuar në premtimet e marra, OHTK-ja beson se së shpejti do të hapen ahengjet, dasmat dhe banjat”, thuhet në komunikatën e OHTK-së.