Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se mund të ketë sërish vërshime ditëve në vijim, si pasojë e reshjeve të shiut dhe shkrirjes së borës.
IHMK përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se intensiteti më i lartë i reshjeve pritet të jetë në Rrafshin e Dukagjinit dhe në pellgun e Ibrit.
“Sipas llogaritjeve të IHMK, nga data 8 deri 12 Shkurt 2021, si pasojë e reshjeve të shiut dhe shkrirjes së borës në viset malore të pellgut Drini Bardhë të cilat në disa zona do të jen me intensitet më të lartë, pritet rritje e ndjeshme e niveleve dhe prurjeve të ujit si dhe mundësi e vërshimeve të shpejta dhe përmbytje lumore në zonat më të ulëta. Sasia dhe intensitetit më i lartë i reshjeve pritet të jetë në Rrafshin e Dukagjinit dhe në pellgun e Ibrit”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
IHMK ka shtuar se në lumenjtë e tjerë të vendit, pritet ngritje e lehtë e prurjeve dhe se ky informacion do të përditësohet nga IHMK sipas, situatës dhe llogaritjeve hidrologjike. /Telegrafi/