Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, ka folur për ndeshjen e radhës dhe të fundit për këtë edicion në futbollin kosovar.
Dukagjini do të udhëtojë te Ferizaj të dielën, ku do të përballet në stadiumin me bar sintetik në orën 15:00.
Me një pikë eventuale, Dukagjini do të mundë ta shohë veten në garat evropiane dhe në anën tjetër duke shpresuar për moslicencimin e Prishtinës dhe fitimin e Kupës së Kosovës nga Gjilani. Ferizaj është zonën e barazhit me 38 pikë dhe po ashtu synon vetëm fitore.
I ftuar në emisionin “Mëngjesi me Jehonën” në Radio Prishtina, Dallku ka folur për ndeshjen ndaj skuadrës së Ferizajt.
“Po themi që çdo klub i bën ato përgatitjet e veta, matematikat e veta, por për ne në rast se nuk licencohet Prishtina dhe pavarësisht rezultatit të kësaj ndeshjeje, automatikisht jemi në garat evropiane, për neve na duhet edhe një pikë që ta sigurojmë vendin e katërt dhe pastaj të presim finalen e Kupës së Kosovës që në rast e fiton Gjilani dhe normalisht po shpresoj me fitu Gjilani, pasi ka kohë të gjatë që nuk ka fituar trofe.
Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet tona dhe do t’i bëjmë deri në fund të kësaj jave. Ne kemi besuar që nga dita e parë në këtë ekip, kemi besu në këtë projekt, jo vetëm unë si trajner i ekipit, por edhe gjithë stafi, po ashtu presidenti në krye me Fabian Veseli ka besu tek ne, pavarësisht një starti jo të mirë, mirëpo i gjithë orientimi, bashkëbisedimi me lojtarë tanë ka qenë besimi dhe ky trekëndësh nëse funksionon mirë, atëherë rezultati është i pashmangshëm”, tha Dallku në Radio Prishtina.