Paqartësia e vaksinimit në veri, AKPPM-ja nuk dha leje për importin e vaksinave nga Serbia

Qytetarët në veri të Kosovës kanë filluar të marrin vaksina kundër COVID-19, të cilat janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë.

Ky veprim është mirëpritur nga qytetarët e komunitetit serb që jetojnë atje, të cilët i kanë falënderuar autoritetet serbe.

Deri tani akoma nuk është e qartë se si kanë hyrë në Kosovë këto vaksina, njofton Klan Kosova.

Klankosova.tv ka kontaktuar me drejtorin e Agjensisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ardian Rugova, i cili ka thënë se ata nuk kanë lëshuar një leje për import të vaksinave nga Serbia.

“AKPPM-ja nuk ka lëshuar leje për import të vaksinave në fjalë. Gjithashtu, nuk kemi pranuar as nga Ministria e Shëndetësisë asnjë dokument për leje të importit”, ka thënë Rugova.
Qeveria e Kosovës ka dalë me një njoftim në të cilin ka thënë se nuk ka asnjë të dhënë se vaksinat kundër COVID-19 kanë hyrë në mënyrë legale në veri të vendit.

“Në bazë të informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër COVID-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit”.

Në njoftimin e Qeverisë tutje thuhet se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra”.