Papa Françesku ka marrë vendimin kundër lejimit të burrave të martuar që të shërbejnë si priftërinj në rajonin e Amazonës. Kjo ide kishte dalë në pah si mundësi për ta mbuluar mungesën e priftërinjve në atë rajon.
Në deklaratën e Vatikanit thuhet: “Amazona na sfidon që t’i tejkalojmë pikëpamjet e kufizuara dhe jo vetëm ta kënaqim veten me zgjidhje që funksionojnë vetëm për një pjesë të problemit.”
Në tetor të vitit të kaluar, një grup prej 184 shërbyesve të lartë kishtarë u takuan në Vatikan për të diskutuar për të ardhmen e kishës në Amazonë. Në këtë takim ishte thënë se burrat e moshuar dhe të martuar duhet të lejohen që të bëhen priftërinj.
Sidoqoftë, sipas këtij propozimi, burrat e martuar duhej të ishin shumë të respektuar dhe duhej të ishin pjesë e komuniteteve autoktone, shkruan BBC-i.
Besohet se banorët e 85 për qind të fshatrave të Amazonës nuk kanë mundësi të mbajnë mesha për shkak të mungesës së priftërinjve, transmeton Gazeta Express.
Papa më parë kishte thënë se do ta shqyrtonte mundësinë e ndryshimit të rregullës kishtare, por në fund mori vendim negativ.