Ndonëse në Kosovë ende nuk është shënuar ndonjë rast me të prekur nga virusi që po merr shumë jetë, Covid-19, qeveria ka marrë masa të shumta mbrojtëse, duke mbyllur shkolla, e duke anuluar aktivitetet të shumta kulturore e sportive, shkruan IndeksOnline.
Kjo pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur coronavirusin si pandemi globale.
Në një situatë të tillë, paniku në mesin e qytetarëve kosovar tashmë është krijuar dhe në çdo moment ka raportime në adresë të IndeksOnline, për vërshime të mullinjve nga qytetarët, të cilët duan të furnizohen me miell. Mirëpo nuk janë vetëm mullinj më të frekuentuarit, pasi që raportime të shumta që nga dita e djeshme kemi pasur edhe për boshatisje të rafteve në supermarkete ku ndodhen ushqimet esenciale.
Në anën tjetër, Qeveria dhe të gjitha autoritetet e tjera kompetente në vend, në vazhdimësi porosisin qytetarët që të mos krijojnë panik, dhe se arsyetojnë marrjen e këtyre masave si shenjë parandaluese, në luftën tashmë globale ndaj koronavirusit.