Personat e dyshuar që janë kapur nga Policia e Kosovës, para fillimit të pandemisë, për veprat penale ende nuk po arrijnë të dijnë fatin e tyre.
Kjo pasi që 412 të paraburgosur në institucionet e paraburgimit në Kosovë nuk kanë arritur të dalin akoma para gjykatësit që të dënohen ose të lirohen, shkruan IndeksOnline.
Efektin e pandemisë Covid-19, e cila ka kapluar botën, e kanë vërejtur më së miri personat e dyshuar që po qëndrojnë të mbyllur në katër mure. Momentalisht, në pritje që të dalin para Gjykatës janë 412 të paraburgosur. Këtë e ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.
Ai bëri të ditur se të njëjtit janë në paraburgim për vepra penale si vrasje, vjedhje, trafikim të narkotikeve, dhunë në familje e vepra të tjera.
“Aktualisht në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit janë 1441 të burgosur, prej tyre 1029 janë të dënuar, ndërsa 412 janë të paraburgosur. Këta persona janë të burgosur për vepra të ndryshme penale, si: Vrasje, vjedhje, trafikim të narkotikeve, dhunë në familje, etj”, tha ai.
Kujtojmë se, që nga dita 16 mars kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim që të kufizohet aktiviteti brenda gjykatave, këto institucione kanë trajtuar vetëm çështje urgjente dhe si pasojë janë anuluar të gjitha seancat që nuk paraqesin urgjencë. Në raportin e punës së Gjykatës Themelore në Prishtnë, përfshirë edhe degët e saj, për periudhën kohore 16 mars deri me 30 prill, rezulton të jenë përfunduar 925 lëndë, ndërsa janë pranuar gjithsej 1,705 lëndë të të gjitha lëmive, ku të gjitha janë regjistruar dhe janë ndarë te gjyqtarët për procedim./