Ndonëse edhe shërbyesit civil ishin në grevë, të premten, më 30 shtator, u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator. Por, këto paga nuk i morën punëtorët e arsimit, të cilët bashkarisht ishin në grevë.
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, Ali Gashi,kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës.
E mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, Gashi e konsideron tendencë për të shantazhuar dhe frikësuar SBASHK-un.
“Pagat për shërbyesit civil janë dal, megjithatë ne si Federatë Sindikale e Administratës Publike, jemi jashtëzakonisht për mosekzekutimin e pagave tek arsimtarët. Kjo është një tendencë për të shantazhuar dhe për t’i frikësuar sindikatat në përgjithësi, dhe me theks të veçantë ta sulmoj SBASHK-un, si sindikatën më të madhe në Republikën e Kosovës. Ne si Sindikatë e Administratës Publike e mbështesim fuqishëm SBASHK-un dhe kërkojmë në të njëjtën kohë nga Qeveria që urgjentisht ta bëjë lëshimin e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit, pasi është e drejtë e tyre dhe në të njëjtën kohë Qeveria, e cila do të duhej të ishte gardian i ligjshmërisë dhe t’i respektoj ligjet e Kosovës, ajo është shkelësja më e madhe e ligjeve dhe mohuese e kontributit të çmuar të të gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit”, u shpreh ai.
Ai madje tha se pagat për shërbyet civil janë ekzekutuar të premten, më 30 shtator, ashtu siç edhe e parasheh ligji.
“Për Administratën janë ekzekutuar sipas ligjit që është i paraparë që i bie të premten e shkuar”, theksoi Gashi.
Ali Gashi, i cili ishte pjesë edhe Këshillit Grevistë të BSPK-së, përpos ekzekutimit të menjëhershëm të pagave për punëtorët e arsimit, nga Qeveria e Kosovës kërkoi takim urgjentë për kërkesat e tyre.
“Një tendencë e tillë nga ana e Qeverisë është e papranueshme dhe prapë po i bëjë ftesë Qeverisë që përpos lëshimit të pagave, ajo të mendoj që urgjentisht, t’i ftoj sindikatat, të ulen që t’i zgjedhim kërkesat që kanë mbetur pezull, pasi që duhet të kuptohet që ne e kemi pezulluar grevën në janar, dhe nëse qeveria nuk reflekton, atëherë janari do të vije shpejt dhe ne do të dalim me një qëndrim i cili ndoshta edhe pa dëshirën tonë por si rezultat i mos gaditshmërisë së Qeverisë mund të na shpie në ndonjë situatë tjerë, apo të ngjashme si ka qenë kjo e tanishmja”, theksoi ai.
Nga 25 gushti e deri të shtunën kanë qenë në grevë punëtorët e Administratës Publike, ndërsa nga 1 shtatori u ishin bashkuar edhe ata të arsimit. Por, për këta të fundit që nisën grevën në shtator, nuk janë ekzekutuar pagat.
Lidhur me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit nga Qeveria e Kosovës, kanë thënë se për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
Kurse, gjatë ditës së sotme ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci reagoi duke thënë se komunat të cilat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, nuk kanë raportuar në departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, ndonëse e kanë obligim. Sipas saj, kompensim do të ketë vetëm për punën e bërë.
Ndërsa, nga Këshilli i Prindërve kanë thënë se nëse mësimdhënësve nuk u jepen pagat e shtatorit, prindërit duhet të organizohen për të mbledhur fonde për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit.