Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do mbahen më 6 tetor dhe formimi i qeverisë së re, sipas zyrtarëve të qeverisë në largim, nuk do të kenë efekt në zbatimin e Ligjit për pagat, i miratuar në muajin shkurt në Kuvendin e Kosovës.
Probleme për shpërndarjen e pagave me rritje, nuk parashikohen edhe pse në buxhetin aktual nuk është paraparë shuma për zbatimin e Ligjit për pagat. Kurse projektimin e buxhetit për vitin e ardhshëm pritet ta bëjë Qeveria e re e Kosovës, që do të dalë si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Sipas afateve ligjore, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje. Në bazë të këtij ligji, pagat në sektorin publik janë rritur për 70 për qind të punëtorëve.
Ministri në largim i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht situatës së krijuar politike me zgjedhjet, Ligji për pagat do të zbatohet në periudhën e paraparë.
Numri i punëtorëve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 ishte 573 euro.
Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.
Buxheti i Kosovës për këtë vit arrin shumën në 2.3 miliardë euro. Nga kjo shumë, rreth 616 milionë euro janë paraparë për kategorinë paga dhe mëditje, por në këtë shumë nuk janë llogaritur ndryshimet që kanë ndodhur pas miratimit të Ligjit për paga.