Pacolli reagon për arrestimin e Nezir Mehmetajt: Të merren masa urgjente…!

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar pas arrestimit të kosovarit, Nezir Mehmetaj, i cili u ndalua në Merdare nga policia serbe.

“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit”, ka shkruar Pacolli.

Më tej, kryediplomati ka thënë se Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.

“Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Indeksonline ishte i pari që raportoi rreth këtij rasti. Burimet tona kanë theksuar se  arsyeja e ndaljes të Mehmetaj ishte se ai gjendet në ‘Stop listën’  e Beogradit zyrtar.