Ish-kryediplomati i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas vdekjes së 20-vjeçares Heroina Mehmetaj, e cila i dha fund jetës duke u vetëvarur.
Pacolli ngriti dilema për motivin e vetëvrasjes së 20-vjeçares, ndërsa theksoi se depresioni, si shkaku më i zakonshëm i vetëvrasjes, duket të merret më seriozisht,
“Dua të shkruaj disa fjalë për rastin tragjik në Gllogjan të Deçanit. Heroina, një studente e dalluar, 20-vjeçare, zgjodhi t’i jepte fund jetës së saj. Zoti e di pse? Depresioni, si shkaku më i zakonshëm i vetëvrasjes, është diçka që duhet të merret më seriozisht. Psikologët duhet të jenë gjithmonë në dispozicion për të rinjtë. Duhet të flitet më shumë për këtë temë në shkollë dhe në shoqëri. Të rinjtë e Kosovës janë të mrekullueshëm. Ne nuk mund të lejojmë t’i humbasim. Kjo fytyrë e bukur nuk duhet harruar. Jeta është e shtrenjtë! Familjes Mehmetaj i shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta. Si prind që jam, jam shumë i emocionuar nga ky rast”, shkroi Pacolli.
Dje në mëngjes familja Mehmetaj nga Gllogjani i Deçanit e mori një lajm me të cilin të duhet kohë të pajtohesh. Heroina Mehmetaj, vajza 20-vjeçare e familjes u gjet e vdekur.
Rastin e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ndërsa Gazeta Sinjali mësoi se 20-vjeçarja i kishte dhënë fund jetës së saj duke u vetëvarur. Sinjali ka mësuar gjithashtu se Heroina ishte studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Pejës. Ajo gjithashtu ishte bursiste dhe kishte sukses të shkëlqyer në studime me notë mesatare 9.2.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se janë duke e pritur rasportin e IML-së lidhur me trupin e pajetë të vajzës.
Vdekja tragjike e Heroinës e preku jo vetëm familjen, por edhe shoqërinë e saj.
Siç kanë njoftuar dje familjarët, Heroina Mehmetaj do të varroset sot në orën 18:00 në varrezat e fshatit Gllogjan. /