Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në mesnatë në fshatin Berrkovë të Klinës, derisa Policia po patrullonte,
Siç mëson Sinjali, zyrtarët policorë fillimisht e kishin ndalur të dyshuarin B.H.,, për ta gjobitur si pasojë e kundërvajtjeve në trafik. Të njëjtit fillimisht i ishte konfiskuar vetura, me të cilën lëvizte pa patentë shofer dhe në gjendje të dehur, e më pas u ngritën dyshimet se posedonte gjësende të kundërligjshme.
Gjatë kontrollimit të lokacionit ku u ndalua i dyshuari, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një armë, të cilën 32-vjeçari e kishte hedhur nga xhami posa e ka vërejtur Policinë.
Për shkak të posedimit të armës, ai është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me armën e sekuestruar me rastin e kontrollit policor.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“