Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka ripërsëritur se ka shumë mospajtime me LDK-në.
Osmani thotë se për momentin është pa parti dhe përgjegjësinë e saj e ndan vetëm me qytetarët që ia kanë besuar votën.
“Në një Kosovë që për 20 vjet ka degraduar, ku njerëzit mendojnë si të ikin, duhet ta kemi të qartë se kemi të bëjmë me dy pole të kundërta. Kurdo që mbahen zgjedhjet e ardhshme, duhet të ketë një ndarje të qartë ndërmjet një grupi njerëzish që janë kapës të shtetit dhe të njerëzve që kanë vullnet e guxim që ta largojnë kapjen e shtetit. Ky është kualifikimi i dokumenteve të BE-së për një shtet të kapjes, krimit e korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare”, është shprehur ajo.
Osmani tha se prioritet kryesor duhet të jetë sesi të shpëtohet vendi nga gjendja aktuale.
“LDK-ja ku jam rritur ma ka mbyllur çdo derë dhe tash ajo angazhohet në një fushatë denigruese dhe përdorin gjuhë të turpshme. Unë duhet t’i shqyrtoj mundësitë e mia për angazhim politik, por jo të aderoj në një parti tjetër, por të shikohet nëse ka mundësi të krijohet një parti e re”, tha Osmani.