Presidentja Vjosa Osmani sot do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Takimi do të ndodhë në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili po mbahet për herë të parë në Pragë.
Presidentja ka udhëtuar dje drejt Pragës Me ftesë të Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala. Ajo ka paralajmëruar edhe takime bilaterale me liderë europianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Europian.
Para liderëve europianë, Osmani tha se do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.
Takim me Scholz dhe Macron do të zhvillojë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Siç raportuan mediat serbe, temë diskutimi mes tyre do të jetë ndër të tjera edhe Kosova.
Sipas agjendës, samiti fillon nga ora 13:00, ndërsa takimet bilaterale do të zvhillohen nga ora 16:00