Sot kur janë bërë 27 vjet nga ikja e Nënë Terezës nga kjo botë, presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar figurën dhe larmadhërinë e saj.
“Nënë jonë Terezë mbetet një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim”, ka shkruar Osmani.
Derisa ka kujtuar edhe thënien e saj të famshme “Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës…”
Postimi i plotë:
“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës…” – Shën Tereza
Në Ditën e Humanizmit, nderojmë jo vetëm jetën dhe trashëgiminë e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe vlerat që ajo mishëroi – dhembshurinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzimit.
Nënë jonë Terezë mbetet një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim.
Përkushtimi i Nënë Terezës për më të varfrit, besimi i saj i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane.
Në 27 vjetorin e ikjes në amshim e kujtojmë me respekt dhe jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjtën Terezë.