Sot ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takojnë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për tu konsultuar rreth formimit të institucioneve.
Me takimin me Lumirin, Osmani dhe Kurti përfundojnë takimet konsultative me partitë politike rreth formimit të Qeverisë.
Takimi mbahet në ora 14:30.
Ndryshe, nga e hëna Osmani dhe Kurti janë konsultuar me përfaqësues të partive politike.
Derisa votat për Qeverinë tashmë konsiderohet se janë, për pozitën e presidentes është ende e paqartë.
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se PDK nuk do të votojë Vjosa Osmanin për presidente, madje nuk do të merr pjesë as në votim.
Hoxhaj ka thënë se kjo çështje për PDK është temë e mbyllur.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë mbrëmë se AAK-ja nuk e voton dhe nuk e bën kuorumin për kandidaturën e Vjosa Osmanit për Presidente.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku një ditë më parë tha se LDK synon me i shmang zgjedhjet e reja.
Ai tha se për këtë çështje do të vendosin pas takimit të sotëm me Osmanin dhe Kurtit, si dhe pas formimit të Kryesisë së LDK-së që pritet të bëhet në fundjavë.