Sead Berbati nga fshati Vitomericë e Pejës, tash e dhjetë muaj thotë se nuk është rehat në shtëpinë e tij për shkak të kërcënimeve që pretendon se po i merr nga rreshteri i Policisë së Kosovë, Mirsad Adroviq.
Ai thotë se në oborrin e shtëpisë i ishte hedhur një granatë, ndërsa gishtin e drejton drejt rreshterit të Policisë së Kosovës. Qytetari pretendon edhe për një rast tjetër të konfliktit me rreshterin që prej kohës se ka zbuluar se rreshteri po ia ngacmon gruan. Ai thotë se rreshteri ia kishte dërguar Policinë e Kosovës tek shtëpia.
E gjithë ngjarja ka filluar dhjetë muaj më parë, ku sipas qytetarit Berbati, rreshteri i Policisë së Kosovës po e ngacmon bashkëshorten e tij. Ai pretendon se rreshteri në vazhdimësi ka telefonuar bashkëshorten e tij me numër anonim.
Se numri anonim është i rreshterit të policisë së Pejës, ai thotë se e ka zbuluar vetë përmes programeve kompjuterike. Madje Berbati për t’u siguruar se numri i telefonit prej të cilit po ngacmohet bashkëshortja e tij është i rreshterit, ai kishte telefonuar atë. Por pasi e kishte vërtetuar, ai e kishte mbyllur telefonin nën pretekstin se ka telefonuar gabimisht.
Gazeta Sinjali posedon audioinçizimin e telefonatës, kur Berbati e kishte telefonuar rreshterin e Policisë së Kosovës.
“Ai e ka kërcënuar bashkëshorten time, e ka thirr në mënyrë, ai e dinë për çka e ka thirr, tash mos të shprehna për çka e ka thirr. Unë e ka-m zbuluar, se ajo nuk e ka ditë se kush është t’u e thirr në atë telefon me numër anonim”, rrëfen Sead Berbati.
Madje, pretendimet e tij shkojnë edhe më tutje se gruaja e tij nuk është e vetmja grua në Vitomericë të Pejës që është ngacmuar nga rreshteri.
“Nuk është ajo e vetmja grua në Vitomericë, po është edhe një person tjetër që ka shku edhe e ka bo ankesën në stacionin e policisë. Kerkush nuk ka marrë masa ligjore ndaj tij”, tregon ai.
Rastin ai thotë se e ka lajmëruar në stacionin policor të Vitomericës dhe se pas dhënies së deklaratës, thotë se ka marrë kërcënime me letër nga Mirsad Adroviq.
“Ma ka dërguar letrën kërcënuese. Unë atë e kam lajmëruar në stacion të policisë, e kam lajmëruar tash së fundmi herë. Ma ka dërguar letrën kërcënuese që nëse nuk e tërheqi deklaratën ndaj policit Mirsad Adroviq, do të ballafaqohesh me XX persona. Unë nuk kam ku me shku ma ose me ikë prej Kosovës ose me bo diçka”, tregon banori i Vitomericës.
Letrën thotë se nuk e ka dërguar në polici, pasi ka qenë i bindur se policia nuk do t’i besonte.
“Jo, se nuk më kishin besu, kishin thanë e ka shkruar letrën vetë, koka bo budall, ia paska marr inatin, se këto stila i kanë policia”, tha Berbati.
Gazeta Sinjali, ka kontaktuar Policinë e Kosovës në rajonin e Pejës, të cilët kanë thënë se ankesat e qytetarit në fjalë i kanë bartur tek Inspektorati Policor i Kosovës.
Në përgjigje nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), njoftuan se rasti nuk ka pasur elemente të veprës penale, andaj ky institucion e kishte përcjellë në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës së rreshterit Mirsad Adroviq në Policinë e Kosovës.
Mirsad Adroviq ishte shpallur i pafajshëm nga Drejtoria për Hetim të Brendshëm, e cila e ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente të shkeljeve të rënda disiplinore.
“Pas vlerësimit nga Drejtoria për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së kaluarës( DHBVK) rasti është vlerësuar se nuk ka elemente të shkeljeve të rënda disiplinore dhe e ka adresuar për trajtim për shkelje të lehta disiplinore në nivelin lokal përkatësisht në Drejtorinë Regjionale në Peje, për trajtim të mëtutjeshëm disiplinore. Ky rast është hetuar në aspektin disiplinor nga DRP Pejë, e cila ka nxjerrë vendimi me të cilin zyrtari shpallet i pafajshëm. Me ketë vendim është informuar edhe qytetari i cili ka pasur të drejte ankese në afat prej 15 ditësh në Komisionin për Ankesa në PK”, thuhet në përgjigjen e policisë së Pejës.
Por i gjithë ky rast nuk ishte përmbyllur me kaq. Shtatë muaj pas ngacmimit të bashkëshortes nga rreshteri i policisë, Berbati thotë se ka gjetur granatë dore në oborrin e shtëpisë së tij, për të cilën thotë se nuk ka fakte nëse e ka gjuajtur rreshteri Adroviq, por sipas tij të gjitha ‘kamuflazhet’ ia bën ai.
“Pas një kohe ma ka gjuajt granatën në oborr. Nuk jam i sigurt që ma ka gjuajt ai [Mirsad Adroviqi v.j], po unë e kam gjetë në oborr. Jonë ardhë këta të FSK-së, e kanë konfiskuar. Më kanë thirrë, më kanë thënë ‘çka ke dashtë me bo me këtë granatë, mos ke dashtë me gjuajt vet, mos e ke gjuajt vetë, pse nuk e ke kositë barin qe 6 muaj’. Dojshin me më shti me zor me pranu që unë vetë e kam gjuajt atë granatë. Veç po më vijnë policia nonstop për diçka, unë nuk e di pse. Çka është ka më bon ky njeri, unë nuk jam t’u e marr vesh këtë punë. Nejse unë e di që ky llaf, nuk është i lidhur me granatë, po unë po e di që krejt këto kamuflazhe është ka m’i bon ky, Mirsad Adroviqi”, tregon Sead Berbati.
Gazeta Sinjali mëson se për këtë rast Policia e Pejës ka intervistuar Qëndrim Gogajn, mikun e Sead Berbatit, të cilët kishin punuar së bashku gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2019.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të policisë së rajonit të Pejës për të kuptuar se në cilën fazë janë hetimet, por nuk ka pranuar përgjigje.
Sidoqoftë, Gazeta Sinjali e ka siguruar vendimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për mbylljen e këtij rasti.
Prokuroria e kishte mbyllur këtë rast duke e cilësuar se nuk ka elemente të veprës penale dhe se nuk kishte dëshmitarë të tjerë.
Por, nuk mjafton me kaq, Sead Berbati thotë se me Mirsad Adroviqin janë ‘përplasur’ edhe para një muaji, kur rreshteri e akuzoi atë me pretendimin se e kishte lagur me ujë derisa ai po kthehej nga puna në shtëpi.
“Nuk i ka 1 muaj, jam kon t’u e pastruar rrugën, kur ai ka kaluar në ato momente, andej me veturë private, e ka shtëpinë larg prej shtëpisë time, 1 km ose 2km larg, për me shku duhet me kaluar kah shtëpia ime, e kanë kapë disa pika ujë, unë as nuk e kam vërejë. Unë jam kanë t’u e pastruar rrugën me ujë, veç kur janë ardhë polica ‘Pse e ke lagë njerin?’, thash cilin njeri, thanë policin Mirsad Adroviq, thashë more unë as nuk e kam pa që ka kaluar, le më tjetër gjë”, thotë Sead Berbati.
Ai pretendon se rreshteri Mirsad Adroviq e ka lagur vetë veturën e tij, pasi ka shkuar në shtëpi. Pastaj thotë se rreshteri e ka lajmëruar policinë dhe e ka akuzuar atë për kanosje me fjalë (sharje në gjuhën serbe), vepër për të cilën policia e ka gjobitur me 100 euro.
Banori i Vitomericës thotë se policia as nuk ka dashur të marrë deklaratë nga ai për këtë rast, kurse gjobën e shqiptuar nga policia, e cila është cilësuar si “kundërvajtje”, po e konsideron të paligjshme.
“Dënimi është i paligjshëm, si e kanë cekë veprën, ajo është vepër penale. Unë për të duhet me shku në gjykatë, gjykata pastaj vendos a me më dënu a jo. Ama ata ma kanë cekë dënimin vetë edhe m’kanë thanë ‘nënshkruaj këtu’, me m’shti me zor me nënshkru. Unë nuk e kam bo asnjë nënshkrim, kam thanë unë nuk e nënshkruaj pa e jep deklaratën time. As deklaratë nuk kanë deshtë me jap, derisa i kam shti me zor me marrë deklaratë. Nëse unë e kam shajt atë, nëse unë e kam kërcënu, duhet me shku në gjykatë, gjykata vendos, a ki dëshmitarë, nuk ki dëshmitarë, gjykata vendosë me u dënu unë ose jo”, thotë Sead Berbati.
Banori i Vitomericës thotë se nuk ka më ku të ankohet, madje thotë se nuk i ka mbetur asgjë tjetër të bëjë përveçse të mbysë vetën ose të largohet nga Kosova.
“Unë tash këto raste po shkoj, po i tregoj aty në stacion të policisë, kam bo edhe ankesë në Inspektoratin Policor në Prishtinë ndaj tij, po s’po pin ujë ajo punë. Ku me shku me u anku? Jom shku jom anku në Inspektorat Polcior, jom anku edhe absolut kerkush nuk ka marrë përgjigjësi për këtë gjë, veç unë me u largu prej Kosovës e prej tij, me marrë dikun me ikë ose në Mal të Zi ose diku me ikë, se unë nuk kam jetë prej tij këtu. Nuk po di ku me u anku më. Unë nuk po kam çka me bo me këtë njeri, ose po e vraj vetën, po e mbys vetën edhe natën e mirë, po e shkruj për çka jom vra edhe natën e mirë, se nuk ka ligj me më mbrojtë. Ai është njeri zyrtar ai nuk guxon me ma prish jetën tem. Ai ma ka shkatërru jetën tem, ftyrën tem, m’ka qitë prej terezie krejt”, rrëfen ai.
Kurse, Mirsad Adroviq përmes telefonit i tha Gazetës Sinjali se nuk do t’i komentojë këto raste, pasi Drejtoria për Hetim të Brendshëm merret me këtë punë.
Ndaj policit në fjalë është ankuar edhe një banor tjetër i Vitomericës. Personi në fjalë nuk ka dashur që rrëfimi i tij të publikohet, pasi tha se ka frikë që Adroviq do të hakmerret.