Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka publikuar raportin e fundit në të cilin thuhet se përdorimi i tepruar i paraburgimit është çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme.
Sipas kësaj, duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë.
“Raporti vë në dukje praktika pozitive në sistemin e drejtësisë, krahasuar me konstatimet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit. Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, duke përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur, thuhet në njoftim.
“Raporti përfundon me rekomandime specifike të shënjestruara për palët më kryesore të drejtësisë, sidomos për sa i përket trajnimit dhe zgjerimit të alternativave të disponueshme ndaj paraburgimit në fazën paraprake”.
Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, nëntë vendime të apelit në vitin 2023, në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.
Misioni do ta pasojë publikimin e raportit me diskutime në tryeza të rrumbullakëta me palët homologe të drejtësisë në mbarë Kosovën, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet.