Misioni i OSBE-së në Kosovë përmes një postimi në ‘facebook’ ka njoftuar se në mungesë të pëlqimit të nevojshëm të të gjitha palëve nuk e ka të mundur ta ndihmojë procesin e votimit në referendumin e Serbisë në Kosovë.
“Kërkesa thelbësore për kryerjen e një operacioni të tillë është pëlqimi i të gjitha palëve. Në mungesë të pëlqimit, nuk është e mundur që misioni të kryejë një operacion të përmasave të tilla, i cili duhet të respektojë standardet më të larta profesionale zgjedhore. Për më tepër, në kohët e pandemisë, planifikimi dhe zbatimi i një operacioni të tillë kërkon kohë shtesë për të garantuar sigurinë e stafit mbështetës zgjedhor dhe votuesve”, ka shkruar OSBE.
Sipas njoftimit Misioni i OSBE-së në Kosovë po monitoron nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me referendumin serb dhe se ka qenë i gatshëm të kryente një operacion për mbledhjen e votave në përputhje me precedentin e mëparshëm me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse e kishte ofruar një gjë të tillë.
“Ambasadori Davenport e përsëriti këtë mesazh në një letër dërguar Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë dhe Metohi më 14 janar dhe ambasadori e ritheksoi qëndrimin në një bisedë telefonike me Dr. Petar Petkoviq mëngjesin e sotëm të 15 janarit”, thuhet tutje në njoftim.