ORGANIZOHET LIGJËRATË INFORMUESE DHE VETËDIJESUESE ME TEMËN: “PARANDALIMI DHE TRAJTIMI I KANCERIT TË GJIRIT”

Komuna e Klinës, respektivisht Zyra për Barazi Gjinore, ka organizuar në hollin e Shtëpisë së kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ligjëratë informuese dhe vetëdijesuese me temën: ” Parandalimi dhe trajtimi i kancerit të gjirit”, aktivitet ky që po mbahet në kuadër të shënimit të Muajit Ndërkombëtar të Luftës kundër Kancerit të Gjirit.

Të pranishme ishin, nënkryetarja e komunës, znj. Marqe Tanushi – Selmanaj, zyrtarja për Barazi Gjinore, znj. Vitore Shala, përfaqësuese të institucioneve shëndetësore si dhe gra të qytetit të Klinës, të cilat ndanë përvojat e tyre duke qenë shembull shtytës dhe motivues për gratë e tjera.
Nënkryetarja Selmanaj, gjatë kësaj ligjërate theksoi: “Sot, ku po trajtojmë këtë temë shumë të rëndësishme për shoqërinë e në veçanti për gratë dhe vajzat, të gjithë ne duhet të jemi zë i fuqishëm në mbrojtjen dhe përkrahjen e të gjitha grave të cilat përballen me këtë sëmundje”, pohoi nënkryetarja Tanushi Selmanaj.

Ndërkaq, doktoreshë, Gurra Dedaj, e cila ligjëroi gjatë këtij aktiviteti, inkurajoi gratë që vazhdimisht të bëjnë kontrolla vetë-ekzaminuese, ultrasonografike dhe monografike, të mos i neglizhojnë ndryshimet eventuale në trup dhe të besojnë që zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ndihmon në trajtimin më të lehtë dhe është çelësi për mbijetesë”, shtoi ajo.