ORGANIZOHET EKSPOZITË NË SHTËPINË E KULTURËS “JEHONA E DUKAGJINIT”

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në Komunën e Klinës, në bashkëpunim me shkollën e mesme të lartë të arteve aplikative “Odhise Paskali”, në Pejë, organizuan ekspozitë në hollin e Galerisë së artit në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.

Të pranishëm gjatë kësaj ekspozite ishin drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Fatjona Gashi së bashku me stafin e saj, drejtori i shkollës “Odhise Pakali’, z. Bujar Kelmendi, profesori Gani Lajçi, artistë të ndryshëm, piktorë klinas, nxënës dhe mësimdhënës nga shkollat e mesme të larta dhe të ulëta të komunës së Klinës, media etj.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Fatjona Gashi, me një fjalë rasti falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e në veçanti ata që i ekspozuan punimet e tyre artistike.

“Ndjehemi të nderuar që sot artistët nga Peja i sollën Klinës një frymë të re artistike me punimet e tyre në pikturë. Bashkërisht po përçojmë mesazhin se arti gjithmonë do na mbajë të bashkuar e do na motivojë për punë të palodhshme. Para jush mbetem me shpresën e dëshirën që këto organizime të jenë të pranishme çdoherë në mesin tonë e që tradicionalisht të frymëzojmë gjenerata te reja”, tha në fund drejtoresha Gashi.

Drejtoresha Gashi gjithashtu ndau mirënjohje në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë, drejtorit të shkollës “Odhise Paskali”, z. Bujar Kelmendit.

Për të gjithë artdashësit, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur edhe dy javë të tjera në ditët në vazhdim, në hapësirat e Qendrës së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.