Kuvendi ka nisur mbajtjen e seancës, me pikat e rendit të ditës të mbetura nga seanca e 5 majit.
Në këtë seancë po bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se pas 11 viteve po hapet rrugë për rritjen e pagës minimale në Kosovë.
Opozita njëzëri ka dalë kundër propozimit aktual për rritjen e pagës minimale. Mospërfshirja e veteranëve dhe disa kategorive të tjera, siç janë të verbrit në projektligjin që i hapë rrugë rritjes së pagës minimale po konsiderohet diskriminuese nga ana e opozitës.
Nga Grupi Parlamentar i PDK-së janë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë projektligj. Mërgim Lushtaku nga PDK tha se ky projektligj shkel rregullat e përcaktimit të pagës Minimale, duke diskriminuar disa kategori siç janë veteranët.
“Nuk do ta votojmë, për shkak se shkel rregullat e përcaktimit të pagës minimale dhe shkel disa kategori të ndjeshme të shoqërisë si veteranët.
Ju si VV e dimë se keni harruar dialogun social, kjo po shihet qartë edhe në këtë pjesë të projektligjit.
Ne e mbështesim, por me një dialog social. VV po mundohet që të synojë rritjen sado të vogël të pagës minimale dhe të arsyetohet tek elektorati se gjoja ka arritur një rritje të pagës minimale. Qeveria po mundohet të tejkalojë çdo dialog social me këtë ligj”, tha ai në seancën e Kuvendit.
Edhe deputeti i LDK-së, Adullah Hoti, ka kritikuar projektligjin e sjellë nga ministri i Financave Hekuran Murati.
Ai tha se është gabim që ky ligj të procedojë përpara në këtë mënyrë dhe se i njëjti duhet të ndryshohet, shkruan Reporteri.net.
“Ky është ndër ligjet më absurde që është shkruar deri më tani. Mënyra si e keni shkruar këtë ligj e targetoni vetëm një pjesë të sektorit privat pra nuk arrihet qëllimi i këtij ligji për barazi sociale. Ne nuk mund të themi se i kemi konsumu diskutimet dhe po lëvizim përpara pa këshillin ekonomik-social, qeveria s’mund të lëvizë pa një konsultim me komunitetin e biznesit. Këta janë partnerët socialë që qeveria domosdo duhet të komunikojë dhe t’i bëjë pjesë e vendimmarrjes. Në sistem demokratik kërkohet arritja e dakordimit dhe jo betonim në pozicione të caktuara”, tha Hoti.
Hoti po ashtu tha se ashtu se pensioni i veteranit s’mund të shkëputet nga ligji për rritjen e pagës minimale.
Kundër versionit aktual të këtij projektligji ka dalë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Nga kjo parti kanë thënë se versionin aktual të projektligjit e shohin si diskriminues për shkak se përjashton veteranët nga rrija e pensioneve të tyre.
“Projektligji që e keni sjellë ju parasheh të largojë veteranët nga rritja e pensionit të tyre. Ata këtë pension e kanë për ekzistencë. Ne e shohim këtë qasje si diskriminuese ndaj kësaj kategorie, andaj kërkojmë që ky nen të largohet në mënyrë që pensionet e tyre të jenë në vijë me rritjen e pagës minimale. Nuk e votojmë derisa të ndryshohet”, u shpreh Bekë Berisha nga AAK.