Specialisti i Onkologjisë në QKUK, Ardian Millaku ka rrëfyer dy rastet më të vështira gjatë karrierës së tij si mjek që trajton pacientët me kancer.
Në një intervistë për Klankosova.tv, ai tha se ka momente kur ndjehet i pafuqishëm para pacientit, por theksoi se shpresat nuk duhet humbur për suksese.
Onkologu kujtoi momentin kur një student i Mjekësisë në moshë të re u diagnostikua me sëmundjen e kancerit, dhe si ai nuk mundi ta pranonte faktin se do të pësonte rënie të flokëve.
“Ka raste dhe momente kur ndihesh keq dhe i pafuqishëm, por asnjëherë nuk bën me i humb shpresat për suksese. Ka pasur raste të shumta që jam ndje keq, por po i theksoj dy: të një studenti të Mjekësisë që ishte diagnostikua me kancer, ishte në moshë të re dhe duhej të fillonte terapinë. Duke ia sqaruar efektet anësore, një ndër të tjera ishte edhe rënia e flokëve. Kur ia sqarova ai filloi të qante dhe nuk mund ta pranonte këtë gjë. Për ta bindur që kjo gjë është kaluese dhe nuk është diçka problem sepse flokët dalin prapë, i thashë që “nëse je dakord edhe unë po i heqi flokët sikur ti, po solidarizohna me ty”, por ai nuk pranoi dhe vendosi ta marrë terapinë. Tash ai është në një gjendje shumë të mirë klinike”, tha Millaku.
Rasti tjetër që e preku mjekun, ishte vajza e një ish-ushtari të UÇK-së i cili fatkeqësisht nuk arriti ta luftonte sëmundjen.
“Rasti tjetër është një ish-ushtar i UÇK-së i cili ishte i shtruar në repart dhe gjendja e tij çdo ditë përkeqësohej. Njëri nga fëmijët e tij (7-vjeçare) bisedonte me babanë (pacientin) që edhe pak ditë do ta festonte ditëlindjen dhe i tha “duhesh me ardhë në shtëpi me festu ditëlindjen time”. Por pacienti përkundër përpjekjeve tona nuk arriti ta luftonte sëmundjen. Unë vendosa të shkoj në shtëpinë e pacientit në mënyrë që t’ia uroi ditëlindjen vajzës që e priste me padurim babanë e saj”, tregoi dr.Millaku