Oficeri i FSK-së shpëton nënën dhe vajzën e saj nga mbytja në Shëngjin
Një oficeri i Forcës Sigurisë së Kosovës (FSK) ka shpëtuar një nënë bashkë me vajzën e saj nga mbytja në Shëngjin.
Ministria e Mbrojtjes në njoftimin e bërë për media thotë se intervenimi i oficerit ishte shumë i shpejtë.
“Një grua nga Kosova, F.Berisha dhe vajza e saj, R.Berisha, kanë shpëtuar nga mbytja në det, falë vigjilencës, zgjuarsisë, intervenimit të shpejtë dhe vetëmohues të oficerit të FSK-së, nënkolonel Bexhet Shala. Ngjarja ka ndodhur në një nga plazhet e qytetit të Shëngjinit në Shqipëri, ku nënkolonel Shala ishte për pushime me familjen tij. Në momentin kritik, nënkolonel Shala ka vërejtur lëvizje jo normale të dy personave që ishin në ujë, me një distancë prej rreth 70 metrash, ku ka konstatuar se ato po luftonin me jetën”, bëhet e ditur në njoftim
Tutje, Ministria shton se intervenimin pa mëdyshje për shpëtimin e dy personave, nënkolonel Shala e ka bërë falë shkathtësive dhe aftësive të tija personale dhe profesionalë, përvojës së tij gjatë luftës në Kosovë si dhe leksioneve të shumta për vigjilencën në situata të ndryshme, si në luftë ashtu edhe në kohë paqe.
“Unë kam bërë vetëm detyrën. Ne si ushtarakë të FSK-së, e kemi mision që çdo herë të jemi në gatishmëri për tu përgjigjur situatave që kërkohen që të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo, pa dallim, deri në vetëmohim”, ka theksuar nënkolonel Bexhet Shala.
Nënkolonel Bexhet Shala ka marrë falënderime të shumta nga familja Berisha, për veprën e tij humane, në shpëtimin e jetëve të të dy familjareve të tyre.