Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.
“Për më shumë se një vit, Oda Amerikane ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e OEA.
Për më tepër, masa e tillë ka rrezikuar kështu edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Duke pasur parasysh që njëri ndër synimet kryesore të CEFTA-së përfshin reduktimin e kostove të tregtisë dhe prodhimit, përmes eliminimit të barrierave të lëvizjes së mallrave, Oda Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të jetë e mundur të fuqizojë mekanizmat e kontrollit në të gjitha vendkalimet kufitare, ashtu që masa aktuale e sigurisë të mund të shfuqizohet në tërësi.