Oda Ekonomike Amerikane ka dalë kundër mundësisë së tërheqjes së Trustit.
Në një komunikatë për media, kjo odë ka thënë se është e shqetësuar me diskutimet e fundit për të mundësuar tërheqjen e kursimeve pensionale, shkruan lajmi.net.
Sipas saj, këto masa janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin ekziston ky fond.
“Kursimet pensionale të qytetarëve duhet të mundësojnë një standard të dinjitetshëm të jetesës pas pensionimit të tyre, prandaj reduktimi i vlerës së kursimeve pensionale do të cenojë standardin e jetesës në moshën pas pensionimit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Oda Amerikane.
Reagimi i plotë i Odës Ekonomike Amerikane:
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimet e saj lidhur me diskutimet e fundit publike dhe nismat legjislative për të mundësuar tërheqjen e kursimeve pensionale.
Oda Amerikane beson fuqishëm që masat e tilla janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin fondi i kursimeve pensionale ekziston dhe që masa do të kishte përfitime afatshkurta socio-ekonomike.
Kursimet pensionale të qytetarëve duhet të mundësojnë një standard të dinjitetshëm të jetesës pas pensionimit të tyre, prandaj reduktimi i vlerës së kursimeve pensionale do të cenojë standardin e jetesës në moshën pas pensionimit.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Qeverisë që të konsiderojë rishikimin e politikave tatimore për produktet esenciale ashtu që ta bëjë të përballueshme situatën aktuale të çmimeve të ngritura për qytetarët e Kosovës, e veçanërisht atyre me nivel më të kufizuar të të ardhurave.