Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien i ka mirëpritur vizitat që emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak po i bën në Beograd dhe Prishtinë, më saktë takimin që e pati sot me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe nesër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
O’Brien shkroi në “X” se SHBA e mbështet fuqishëm dialogun, duke theksuar nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjeve, “duke përfshirë Asociacionin”.
Ai ka kërkuar që të ecet përpara me zgjedhjet lokale në veri të Kosovës dhe ka kërkuar koordinim përpara se të hyjë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon transaksionet me dinarë serbë.
“Mbështetje e fortë e SHBA-së për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Nevojë për zbatimin e plotë të marrëveshjeve, duke përfshirë Asociacionin. Zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të shkojnë përpara; koordinimi përpara zbatimit të rregulloreve të reja të monedhës”, ka shkruar O’Brien.
Reagimi i O’Brien vjen pas kërkesës së QUINT-it që të pezullohet vendimi i BQK-së që nga 1 shkurti t’i jepet fund përdorimit të dinarit serb në vend. Me këtë kërkesë, sot në BQK ka shkruar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili u takua me guvernatorin Ahmet Ismaili.
Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.
Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.
Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.