Kanë mbetur vetëm edhe katër ditë nga mbajtja e konventës ku do të zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës.
Zyrtarisht deri tash vetëm Memli Krasniqi e ka shpallur kandidaturën për të parin e këtij subjekti.
Njëri nga themeluesit e PDK-së, Sokol Bashota thotë gara është e hapur dhe mund të ketë kandidatura tjera, përveç Hoxhajt dhe Krasniqit.
“Mund të ndodhë, gara është e hapur që të ketë edhe kandidatura tjera për kryetar të PDK-së”, ka thënë Bashota për “Indeksonline”.
Mbajtja e konventës, sipas tij, është një proces i natyrshëm pas asaj që ndodhi me ish kryetarin e PDK-së dhe ka qenë vendim i duhur që të mos shkohet edhe më tutje me ushtrues detyre të kryetarit.
“PDK e ka një elektorat stabil. Ideja e fuqizimit partisë është më tepër objektivë, e cila ka qenë më herët, por çdo herë kur ke një kryetar legjitim dhe të konfirmuar përmes konventës, gjithsesi është më ndryshe”, ka shtuar ai.
Ish kryetari i Klinës për disa mandate thotë se e vlerëson punën e deritashme të Hoxhajt, i cili ka udhëhequr PDK-së në një moment aspak të favorshëm.
“Ai e ka pas mbështetjen e plotë të të gjitha strukturave dhe mendoj se Hoxhaj e ka kryer ndershëm dhe mirë detyrën. Mbetet me vendos ai se çfarë posti do të marr gjatë konventës do ta paraqes kandidaturën ose jo”, ka theksuar Bashota.
Secili pretendent për kryetar të PDK-së, duhet ta dorëzoj kandidaturën e tij deri më 1 korrik, përderisa konventa zgjedhore do të mbahet dy ditë më vonë, më 3 korrik./